LAJME / E Diel 19 Nëntor 2023, 14:02

E morën peng dhe i vodhën varësen e floririt dhe celularin 18-vjeçarit, arrestohen 3 autorët e dyshuar

3 persona kanë rënë në pranga si autorë të dyshuar të pengmarrjes së një 18-vjeçari në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme në rrugën “Loni Ligori” në Unazë të Re i kanë vjedhur me dhunë varësen e floririt dhe celularin një 18-vjeçari, si dhe e kanë marrë atë me forcë në automjetin e tyre duke i hequr lirinë për disa orë.

“Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit: A. A., 30 vjeç, A. D., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi R. A., 33 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al