LAJME / E Hënë 6 Korrik 2026, 22:10

E fundit! Edi Rama dorëzohet para gjermanëve për mandatin e SPAK; a po rikthehet Altin Dumani?

Deklarata e Ulsi Manjës për ndryshimin e Kushtetutës nuk duket si një mendim personal, por si sinjali i parë publik i një marrëveshjeje që, sipas burimeve diplomatike, është diskutuar mes Tiranës, Parisit dhe Berlinit…

Edi Rama duket se ka pranuar kushtin e vendosur nga europianët, veçanërisht nga gjermanët, në lidhje me SPAK-un. Një çështje që, sipas të gjitha gjasave, ka qenë edhe shkaku kryesor i përplasjes së gjatë mes palëve.

Burime diplomatike bëjnë me dije se në Pallatin Élysée, gjatë takimit me Emmanuel Macron, është arritur një marrëveshje, ndërsa, sipas të njëjtave burime, në zhvillimet e takimit është informuar në kohë reale edhe kancelari Friedrich Merz.

Sipas këtyre informacioneve, Edi Rama ka pranuar zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut, madje pa kufizime kohore, si dhe ka rënë dakord të lejojë kandidimin e tyre për një mandat të dytë në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë vizitës së fundit në Gjermani, mësohet se Rama ua ka komunikuar këtë gatishmëri partnerëve europianë, ndërsa ende nuk dihet se çfarë ka kërkuar apo marrë në këmbim.

Përforcimin e këtyre zërave e ka dhënë, në mënyrë publike, edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Ulsi Manja.

Gjatë seancës ku raportonte kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, Manja shprehu atë që e quajti një “mendim personal”, sipas të cilit ai ishte pro ndryshimit të Kushtetutës, e cila aktualisht parashikon një mandat 9-vjeçar për prokurorët e SPAK-ut.

Nëntë prej këtyre prokurorëve e përfundojnë mandatin në nëntor të vitit 2028 dhe konsiderohen si bërthama më e rëndësishme e Prokurorisë së Posaçme.

“Mendimi personal” i Ulsi Manjës duket më shumë si një manovër politike për të testuar terrenin ose për të dërguar një sinjal në drejtim të partnerëve ndërkombëtarë.

Vështirë të besohet se një deklaratë me peshë të tillë kushtetuese është bërë pa dijeninë apo konsultimin paraprak me Edi Ramën.

Deklarata e Manjës shkaktoi reagim të menjëhershëm nga dy deputetë të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri, të cilët njihen si figura të afërta me Sali Berishën.

Duket se kjo lëvizje synonte pikërisht të provokonte reagimin e Berishës, i cili prej kohësh është shprehur kundër zgjatjes së mandatit të SPAK-ut.

Si Bylykbashi, ashtu edhe Strazimiri, tentuan ta ndalonin hapjen e këtij debati.

Nga ana e tij, Manja, duke iu drejtuar opozitës, la të kuptohej se ajo është kundër çdo ndryshimi kushtetues në këtë drejtim.

Një mënyrë për të transferuar përgjegjësinë politike dhe për ta paraqitur Partinë Demokratike si pengesën kryesore të reformës.

Një lloj “larjeje duarsh si Ponc Pilati”.

Ndërkohë, burime pranë qarqeve europiane kanë lënë të kuptohet prej kohësh se, edhe në rast se Sali Berisha nuk jep pëlqimin, ekziston mundësia që ndryshimet kushtetuese të miratohen me mbështetjen e një grupi deputetësh të opozitës.

Provokimi, i artikuluar përmes Ulsi Manjës, duket se synon të testojë jo vetëm opozitën, por edhe reagimin e partnerëve europianë.

Një lëvizje që vjen menjëherë pas tensioneve të krijuara një ditë më parë përpara Parlamentit.

Dhe që, sipas këtij interpretimi, lë të kuptohet se dy aktorët kryesorë të politikës shqiptare mund të jenë duke vepruar në sinkron në një moment të ndjeshëm të zhvillimeve politike./Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE