Dogji 30 hektarë me vreshta dhe dru frutorë, arrestohet punëtori 19-vjeçar në Lushnjë, në kërkim pronari

LUSHNJË- Një 19-vjeçar është vënë në pranga pasi ndezi zjarr për të djegur barërat e egra dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën 30 hektarë me vreshta dhe me dru frutorë.
Policia ka vënë në pranga Mateo Sota dhe ka shpallur në kërkim Erlad Deneku.
Policia ka njoftuar se do të jetë tejet e ashpër me ata që pikasen se kanë vënë zjarre.
Policia vendore informon se ‘shërbimet e komisariatit të Policisë Lushnjë, si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme për një rast zjarrvënieje në fshatin Toshkëz, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin M. S., 19 vjeç, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin E. D., 32 vjeç, pasi 19-vjeçari, i punësuar nga shtetasi E. D., për djegien e barërave të egra, në tokën në pronësi të tij, iu ka vënë zjarri këtyre barërave dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur 30 hektarë me hamull, me vreshta dhe me dru frutorë, në pronësi të disa shtetasve.
Vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasit E. D.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.



