LAJME / E Enjte 6 Qershor 2024, 23:11

Autori dhe viktima jetonin në Angli, zbardhen dy pista hetimi për vrasjen misterioze të Eraldo Nevruzit në Dhërmi

Vrasja e 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi në Dhërmi vijon të jetë në sitën e hetimeve teksa detaje të reja dalin në dritë.

Mësohet se viktima dhe autori i ngjarjes, Gerald Shehu jetonin të dy në Angli. Dyshohet se ata ishin miq me njëri-tjetrin dhe kishin ardhur të dy në Shqipëri për të ngritur biznesin e tyre.

Por sipas raportimeve paraprake dyshohet se Shehu dhe Nevruzi kanë debatuar pak para mesnatës në një nga dhomat e hotelit “Greccia” ku dhe dyshohet se ka ndodhur krimi dhe më pas sherri ka degraduar në përdorimin e armës.

Pasi e ka vrarë me armë zjarri dyshohet se Shehu ka fshehur trupin e 31-vjeçarit dhe më pas është arratisur drejt Greqisë.

Nga hetimet e deritanishme thuhet se dy janë pistat e hetimit: Një për një konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparëshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku dhe viktima dhe autori jetonin.