LAJME / E Mërkurë 22 Korrik 2026, 12:12

Alarm për motin e keq, Ministria e Infrastrukturës ka një lutje për qytetarët


Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka lëshuar një apel për qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të tregojnë kujdes maksimal gjatë ditës së nesërme, pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) për përkeqësim të ndjeshëm të motit në të gjithë territorin e vendit.

Sipas njoftimit, gjatë ditës së nesërme priten stuhi të fuqishme me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta, të cilat mund të krijojnë vështirësi serioze në qarkullimin rrugor dhe të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.

Ministria u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të dukshmërisë së reduktuar, rrugëve të rrëshqitshme dhe pengesave që mund të shkaktohen nga erërat e forta apo reshjet intensive.

Në apelin e saj, ministria rekomandon që gjatë periudhave të stuhisë qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qarkullojnë vetëm në rastet kur është e domosdoshme.

Po ashtu, ngasësve u kërkohet të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, të mbajnë distancën e sigurisë nga automjetet e tjera dhe të respektojnë sinjalizimin rrugor.

Një tjetër rekomandim i rëndësishëm është që automjetet të mos parkohen nën pemë, pranë shtyllave elektrike apo objekteve që mund të rrëzohen nga era, ndërsa aty ku është e mundur të vendosen në garazhe ose vende të mbuluara dhe të sigurta.

Ministria ka bërë të ditur se ekipet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve do të jenë në gjendje gatishmërie gjatë gjithë kohës, për të reaguar shpejt ndaj çdo situate që mund të paraqitet në infrastrukturën rrugore si pasojë e motit të lig.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve kompetente dhe të respektojnë udhëzimet e tyre, me qëllim ruajtjen e sigurisë së tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik gjatë kushteve të vështira atmosferike, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE