LAJME / E Shtunë 11 Nëntor 2023, 11:11

Alarm në familjen e Ilir Metës, ish-presidenti konfirmon se edhe Monika Kryemadhi është nën hetim nga SPAK, nisin sulmet ndaj dëshmitarit kyç që do e çojë pas hekurave në aferën “CEZ-DIA”

Vendosmëria e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuara

dhe Korrupsionit t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe çuar pas hekurave çdo zyrtar apo politikanë të lartë të përfshirë në afera korruptive e kriminale, duket se ka trembur familjen e ish-presidentit Ilir Meta.

Ky i fundit po hetohet nga SPAK për pastrim parash sa i takon lobimeve në SHBA, si dhe për aferën “CEZ-DIA”. Po ashtu në radarët e Prokurorisë Speciale ka rënë edhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.

Megjithatë ajo që ka filluar të shqetësojë më shumë ish-presidentin Meta është afera “CEZ-DIA”. Zoti Meta ngjiti për herë të dytë shkallët e SPAK-ut të enjten, ku u mor në pyetje. Sipas informacioneve, Prokuroria po shkon drejt mbylljes së dosjes dhe një ndër personat kyç që ka fundosur Metën është Elvis Mata. Ky i fundit ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Metës, themelues i LRI dhe ka qenë personi kyç në DIA. Mësohet se Mata ka folur dhe ka rrëfyer gjithçka, duke u kthyer në një dëshmitar të penduar. Por duket se kjo ka alarmuar Metën, i cili dje teksa ishte i ftuar në një studio televizive e ka sulmuar për herë të parë publikisht duke i bërë presion. Sipas Metës, ai është i blerë dhe ka shpifur kundër tij, pasi Meta pretendon se nuk ka kryer asnjë shkelje. “Këta persona kanë qenë punonjës të DIA. Kanë dhënë dëshmi në të kaluarën. Elvis Mata ka dhënë dy herë dëshmi në Arbitrazh dhe ka dhënë dëshmi dhe në procese brenda vendit dhe nuk e ka përmendur emrin tim. Por në vitin 2015, kur kjo histori u hap politikisht, ai i jep një intervistë një gazetari, i cili është nga këta që qarkullojnë dezinformacione, me porosi të një ish-ministri në kohën kur u bë marrëveshja dhe të gjitha shpifjet vijnë sepse ky person ishte i paditur penalisht, ja mbyllën çështjen për ta përdorur si dëshmitar të rremë. Por në vitin 2015 bashkëshortja e tij ishte administratore e njërës prej kompanive që mblidhte borxhet dhe që ishte ndjekur penalisht nga Prokuroria për falsifikime dhe manipulime. Që nga ajo kohë është një bashkëpunëtor i mazhorancës ku bën vetëm shpifje e shantazhe”, deklaroi dje ai. Ndërkohë i pyetur nëse i trembet dërgimit të dosjes në gjykatë, Meta pretendon se është i kulluar dhe nuk ka bërë asnjë shkelje. Ai ka vijuar me sulmet ndaj juristit Romeo Kara, i cili e ka paditur. “E kam shumë të qartë rolin tim dhe e kam të qartë gjithë diktatin politik në këtë çështje që është gjykuar. Por është hapur në një moment siç është dhjetori i vitit 2019 kur ka qenë kulmi i përplasjeve të mia me mazhorancën për të penguar kapjen e Kushtetueses. Absolutisht që personi i përdorur është një person i dënuar për dhunë në familje. Person që ka punuar në DIA dhe që është punonjës i OSHEE. Punonjës i shtetit aktual”, u shpreh ai. Madje Meta akuzoi Ramën se ka futur një frymë diktatoriale, teksa ishte në të njëjtën linjë me Berishën, duke deklaruar se procesi ndaj tij është i dirigjuar nga vetë kryeministri. Pra si Meta ashtu dhe Berisha po kapen pas tezës se po sulmohet opozita politikisht.

Kryemadhi në radarët e SPAK

Nga ana tjetër, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk e ka mohuar se edhe bashkëshortja e tij është në hetim nga SPAK. Ai u pyet nga gazetarja në studio se ka informacione që Monika Kryemadhi po hetohet dhe ish-presidenti vijoi me akuzat duke thënë se ajo është denoncuesja kryesore e aferës së inceneratorëve dhe shumë çështjeve të tjera, ndërsa thekson se është normale dhe e pritshme thirrja e saj në SPAK. “Ka me dhjetëra procedime të rreme, kallëzues të rremë dhe mos harroni se Kryemadhi është denoncuesja kryesore e aferës se inceneratorëve dhe shumë çështjeve të tjerave. Kështu që kjo është normale dhe e pritshme për të çfokusuar opinionin nga aferat që po ndodhin dhe që janë flagrante. Habitem me sa shpejtësi regjistrohen kallëzime që çohen nga persona të dënuar në të kaluarën, ndërkohë nuk ka përgjigje për shumë kallëzime me fakte dhe prova nga njerëz me autoritet publik”, nënvizoi kreu i PL, Ilir Meta.

Nga ana tjetër, juristi Romeo Kara ka rrëzuar alibinë e Ilir Metës se po sulmohet politikisht për aferën CEZ-DIA. Meta tha në një intervistë sot se padia e juristit Romeo Kara ndaj tij u bë në vitin 2019, kur ai kishte përplasje shumë të forta me qeverinë për anëtarët e Kushtetueses. Por juristi ka reaguar në rrjetet sociale ku deklaron se padia është bërë dy vite më herët, në vitin 2017. Sipas tij, padia ka qenë te Krimet e Rënda dhe është mbajtur atje peng për disa vite nga një prokurore që sot madje është në SPAK. “Një përgjigje e shkurtër dhe koncize për Metën, që gënjen ditën për Diell dhe natën për Hënë. Kallëzimi im ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, lidhur me aferën DIA-CEZ, është bere zyrtarisht dhe publikisht gjithashtu me 18 Tetor 2017 dhe jo me 2019, siç pretendon ai. Nëse nuk beson, mund te pyesë miken e tij prokurore në SPAK, e cila e ka pasur këtë çështje pikërisht në atë kohe, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kallëzimi është i vërtetë, faktet dhe provat po ashtu, ndërsa alibia e tij duke sulmuar kallëzuesit, është e vetmja gjë e rremë në këtë çështje”, shkroi juristi Kara dje.