Dosja Sherbimit Sekret: Si i hapte dyert e Portit të Durrësit Liburn Aliu, me urdhër të Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit

emëruar në krye të Portit të Durrësit nga dyshja Vlora Hyseni dhe Baton Haxhiu, Liburn Aliu kontaktoi brenda një jave me Vlorën, Ilir Prodën dhe Ergys Agasin; por bisedat nuk ishin për luftën kundër krimit, por për të lejuar kalimin e lirë të trafiqeve e kontrabandës. Në përgjimet e BKH-së, 10 muaj biseda për kompani e individë me dosje, që duheshin favorizuar nga porti.
Në dosjen “Hyseni-Agasi” ka edhe personazhe me funksione drejtuese në agjencitë dhe shërbimet e sektorëve strategjikë, të cilët kanë qenë të përfshirë aktivisht në veprimtaritë e paligjshme kundër interesave të shtetit e në favor të grupeve kriminale.
Liburn Aliu, ish-ministër i Infrastrukturës në Qeverinë “Kurti 2”, ishte përzgjedhje dhe rekrutim i Vlora Hysenit dhe Baton Haxhiut, për ta katapultuar në krye të Portit Detar të Durrësit, si garanci e vazhdimësisë së aferave korruptive dhe lehtësive për trafiqet dhe kontrabandën.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, rezulton se drejtori Liburn Aliu, në fillim të muajit nëntor 2025, vetëm 1 javë pas emërimit në krye të Portit Detar të Durrësit, ka nisur kontaktet telefonike dhe fizike me ish-Drejtoren e SHISH-it, Vlora Hyseni, me ish-Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe me “Koordinatorin” Ergys Agasi.
Zyrtarisht, drejtori i Portit Detar të Durrësit ka detyrim të kontaktojë dhe bashkëpunojë me drejtuesin e SHISH-it dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për të bashkërenduar luftën kundër veprimtarisë së grupeve të trafiqeve, kontrabandës e sigurisë kombëtare.Por të dhënat që kanë dalë nga përgjimet telefonike dhe gjurmimet ambientale në Durrës e Tiranë zbulojnë se, në të shumtën e rasteve, kryespiunia Vlora Hyseni, “koordinatori” Ergys Agasi dhe kryepolici Ilir Proda nuk kanë biseduar me drejtorin e Portit Detar të Durrësit, Liburn Aliu, për çështje të luftës kundër krimit.
Objekt i bisedave të tyre ka qenë hapja e dyerve të Portit Detar në hyrje e dalje, për trafiqet e drogës dhe kontrabandës, duke u krijuar lehtësi kalimi e veprimi, nëpërmjet shërbimeve të kontrollit e sigurisë, që janë struktura në vartësi të drejtorit të Portit Detar.
Në biseda janë përmendur emra biznesmenësh e individësh “problematikë”, të rekomanduar dhe dakordësuar, për t’u lejuar të kalojnë lirisht pa kontroll në Portin e Durrësit.
Por ka dhe filmime e fotografime për takime me disa prej tyre, tashmë të skeduar dhe penalizuar nga SPAK e Prokuroria e Durrësit, por dhe nga Policia e Durrësit, por që SHISH-i e policia nuk i kanë regjistruar.
Edhe nëse nuk do të kishin biseda e takime për luftën kundër krimit; sipas ligjit, drejtori i Portit Detar të Durrësit ka detyrim të kontaktojë dhe bashkëpunojë me drejtuesin e SHISH-it dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
Por pyetja që shtrohet është kjo: Mbi ç’bazë ligjore Drejtori i Portit Detar të Durrësit ka kontaktuar për çështje konfidenciale të aktivitetit në Portin Detar me Ergys Agasin, që nuk ka asnjë funksion shtetëror e asnjë tagër për informacione mbi veprimtarinë brenda Portit?
Në materialet hetimore të BKH-së, mes drejtorit Liburn Aliu dhe dyshes Hyseni-Proda, ka biseda të zhvilluara gjatë 10 muajve, nëntor 2025 – gusht 2026, për veprime që janë në shërbim të krimit.
Ka biseda mes Ergys Agasit dhe drejtorit të Portit Detar të Durrësit, Liburn Aliu, për kompani e individë me dosje për veprimtari të paligjshme, që duheshin favorizuar nga shërbimet administrative, të kontrollit e sigurisë në vartësi të portit./Pamfleti



