Alarmante ne qiejt e Evropes, dalin detajet se c’po ndodh

Dy avionë të kompanisë greke Aegean Airlines janë përballur me kërcënime për bombë
gjatë fluturimeve drejt Austrisë dhe Italisë. Incidentet vijnë në një kohë kur disa
vende evropiane kanë regjistruar alarme të ngjashme, që kanë detyruar
autoritetet të shtojnë kontrollet e sigurisë në aeroporte.
Njëri prej avionëve udhëtonte nga Athina drejt Vjenës, ndërsa tjetri ishte nisur nga Selaniku me destinacion Milanon. Sipas mediave greke, autoritetet morën telefonata që paralajmëronin për praninë e lëndëve shpërthyese në bord.
Pavarësisht kërcënimeve, të dy avionët vijuan fluturimet pa ndryshuar destinacion dhe u ulën në mënyrë të sigurt në aeroportet përkatëse.
Pas uljes, autoritetet evakuuan pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit, ndërsa ekipet e specializuara nisën kontrollet për të verifikuar nëse në avionë kishte lëndë shpërthyese.
Rastet në Greqi i shtohen një serie alarmesh për bombë që kanë përfshirë aviacionin evropian gjatë ditëve të fundit.
Vetëm të martën, të paktën shtatë avionë pasagjerësh dhe një anije turistike në pronësi të një kompanie greke u përballën me kërcënime të ngjashme.
Disa prej avionëve u detyruan të ndryshonin itinerarin, ndërsa në raste të caktuara autoritetet ngritën edhe avionë luftarakë për të shoqëruar fluturimet e prekura nga alarmet.
Kontrollet e kryera deri tani në incidentet e mëparshme nuk kanë zbuluar lëndë shpërthyese apo objekte të dyshimta.
Autoritetet po hetojnë origjinën e telefonatave dhe mundësinë që kërcënimet të jenë të lidhura me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, në mediat greke janë ngritur dyshime për përfshirjen e mundshme të hakerëve nga Rusia dhe Irani. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar publikisht një lidhje të tillë dhe nuk ka ende prova të bëra publike për autorët e kërcënimeve.



