LAJME / E Premte 23 Shtator 2022, 02:02

Po ndahen nga gratë dhe fëmijët, rekrutët rusë filmohen të përlotur ndërsa bëhen gati për t’u nisur në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar që nga e mërkura mobilizim të pjesshëm të popullsisë dhe tashmë rezervistëve u ka ardhur radha që t’i bashkohen ushtrisë.

Që pas fjalimit të Putinit, një numër i madh njerëzish po tentojnë të largohen nga vendi. Por nga ana tjetër, në mediat sociale është publikuar një video që tregon ata që i janë nënshtruar fatit të tyre teksa bëhen gati të nisen për në Ukrainë.

Një video e postuar në mediat sociale nga Neryungri, një qytet në Rusi, thuhet se tregon rekrutët e rinj rusë duke u përgatitur për të shkuar në Ukrainë.

Në video shfaqen turma njerëzish që mblidhen me çanta. Burra dhe gra shihen duke u përqafuar dhe duke qarë, ndërsa një numër njerëzish hipin në autobusë të bardhë. 300 mijë është numri i rezervistëve që do të thirren për të luftuar në Ukrainë. Pas fjalimit të presidentit rus, në Moskë dhe qytete të tjera të vendit u paralajmëruan protesta. /abcnews.al/