LAJME / E Martë 6 Dhjetor 2022, 16:04

‘Kreva porosinë e një vllau mysliman’/ Sali Berisha zbulon çfarë tha i tha ai që e grushtoi dhe trondit me informacionin për 31-vjeçarin: I sëmuri mendor ka rinovuar patentën

Kreu i PD Sali Berisha ka akuzuar Kryeministrin Rama dhe konkretisht ish-drejtorin e Policisë Ardi Veliu, se kanë përdorur agresorin e sulmit ndaj tij këtë paradite në bulevard.

Ndër të tjera, Berisha vuri në dukje faktin se në vitin 2022, Gerti Shehu edhe pse i konsideruar i sëmurë mendor, kishte rinovuar patentën.

“Ky i sëmuri i Edi Ramës ka marr rinovim patente në vitin 2022. Si i sëmurë psikik nuk mund të merrte kurrë patentën”, tha Berisha ndërsa theksoi se Gerti Shehu është bashkëpunëtor i policisë i përdorur në rrjetet e trafikantëve të drogës dhe midis besimtarëve myslimanë.

Duke akuzuar ish-drejtorin e Policisë Veliu, Berisha tha se pas këtij veprimi gjendet pikërisht ai.

“Nuk mund të jetë kush tjetër veç Ardi Veliut. Nuk kam asnjë provë, por Ardi Veliu është njeriu brenda policisë që mund të stisë çdo gjë”, tha Berisha.

Fjala e plotë e Sali Berishës:

Ai që lexon këtë thotë se ky mund të jetë i vitit 2018, thotë se episodi i fundit i 10 gushtit 2022 e çuan në urgjencë psikiatrike, ju dëshmoni. Ky ka marrë patentë në vitin 2022. Si i sëmurë psiqik nuk mund ta merrte kurrë patentën. është një akt i përgatitur personalisht nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe Ardi Veliu.

Agresori është një me origjinë nga Tepelena, jeton prej 20 vitesh në Tiranë. I ka shërbyer Policisë Kriminale ndër besimtarët e xhamisë. Ai u paraqit se zbatoi porosinë e një vëllau mysliman. Është i regjistruar se zbatoi porosinë e një vëllau mysliman. Porosia është e vëllait pa fe, Edi Ramës dhe Bledi Çuçit. Nuk mendoj se është kush tjetër veç Ardi Veliut. Ai është krimineli që mund të stisë dhe të organizojë çdo gjë. Shehu është i përdorur për rrjetet e trafikantëve të drogës dhe midis besimtarëve myslimanë.