LAJME / E Hënë 26 Shtator 2022, 21:09

26-vjeçari u punësua për të gjymtuar 1 person. Flet bashkëshortja e objektivit që do sulmohej në Lushnje

Në datën 20 shtator 2022, Fiks Fare, transmetoi rrëfimin e një 26-vjeçari, i cili tregonte me detaje mënyrën si ishte rekrutuar nga një grup kriminal për te bërë disa vepra penale në qytetin e Lushnjës. I riu tregoi me detaje mënyrën si do gjymtonte një person. Ai tha se për rrahjen do të paguhej 3 mijë euro, ndërkohë nëse objektivi do të pësonte thyerje kockash do të paguhej më shumë. Madje, porositësit i kishin kërkuar që objektivit t’i digjej edhe automjeti, ndërsa pagesa do të shtohej.

Por, megjithëse i riu bashkëpunoi me policinë, duke treguar ndërmjetësin, porositësin dhe objektivin, ai sërish është lënë “në mes të 4 rrugëve”, pasi policia nuk ka bërë asnjë veprim. Gjatë një ballafaqimi, inspektori i policisë i kërkon të riut që t’i dalë përpara sekserit dhe mos “të rri si i dh…”. Madje, ai i sugjeron që të lëvizë i lirë. Ndërkohë, prokuroria nuk e ka thirrur 26-vjeçarin për t’i marrë dëshminë, pasi “kanë shumë punë të tjera”.

Pas transmetimit të këtij investigimi, Policia e Shtetit pezulloi shefin e krimeve në Komisariatin e Lushnjes, ndërsa ndaj tij filloi edhe një hetim. Por, pezullimi dhe hetimi ishin vetëm për fjalorin, ndërsa në asnjë rast nuk u dhanë detaje se çfarë ka ndodhur me hetimin e kësaj çështje.

Por, edhe pas këtij reagimi, në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” mbërriti një tjetër telefonatë, kësaj herë nga bashkëshortja e objektivit. “Ju falënderojmë, na keni shpëtuar jetën. Nuk kemi pasur asnjë dijeni se çfarë po na ndodhte” ishte telefonata.

Një grup i Fiks Fare shkoi sërish në Lushnjë, kësaj herë për të biseduar me zonjën në fjalë, e cila kishte dyshime tepër të mëdha për Policinë e Lushnjës.

“Do e manipulojnë sërish hetimin. Ashtu siç bënë edhe herën e parë! Tani, duan ta nxjerrin sikur autori (denoncuesi) ishte për të vjedhur, apo për qëllime të tjera”- thotë zonja, e cila kërkon mbrojtje për vete dhe familjen.

“Ne tentativën për të na goditur e mësuam nga Fiksi më datë 20 shtator. Deri para asaj date askush nuk e ka lajmëruar familjen tonë, të na tregonin çfarë kishte ndodhur dhe ne të merrnim masat tona. Rrëfimi i djalit ishte tepër i saktë, familja ime dhe ne lëvizim në ato vende. E kemi shtëpinë atje ku tha ai, lëvizim te nënkalimi. Karburanti është i joni, e kemi dhenë me qira. Makina po ashtu është e jona” thotë zonja, ndërsa pohon se, “nga data 7 shtator kur u shoqërua djali deri në datën 20 shtator ku u dha te Fiksi, ne kemi lëvizur normalisht, kemi bërë rutinën tonë”.

Më pas, zonja tregon edhe konfliktin me porositësit, të cilët i ka komshinj te biznesi që kanë në afërsi të autostradës Rrogozhinë-Lushnje.

“Ne me personat, porositësit, kemi pasur konflikte para 1 viti e gjysmë. Çështja tani është në Apelin e Vlorës, burrin tim e kanë dënuar në shkallë të parë me prova të paqena. Policia edhe atëherë ka manipuluar provat, pasi ata e kanë qëlluar burrit tim, e kanë gjakosur, por e bëjnë sikur burri im i ka qëlluar ata. Tani është në arrest shtëpie. Konflikti ka qenë se burri im po digjte disa mbetje te prona jonë dhe ka shkuar tymi te prona e atyre. Kanë ardhur dhe e kanë goditur, por policia ia bëri letrat sikur burri im kishte gjakosur ata,”- thotë zonja.

Më tej vijon se, edhe këtë rast, po tentojnë që ta manipulojnë.

“Deri tani askush s’na ka marrë jë pyetje. Gjithçka e fshehtë. Ai djali (denoncuesi) duhej mbajtur brenda të tregonte nga i kishte marrë urdhrat. Ne mund të na vrisnin, të na vinin tritol poshtë makinës, të na gjymtonin. Dhe policia i lë të lirë, si autorin si porositësit. Falënderoj Fiks Fare, na shpëtoi jetën. Ju falënderoj të gjithëve si staf,”- përfundon bashkëshortja e objektivit.

Në fakt, pas denoncimit të këtij rasti nga Fiks Fare, policia vetëm sa ka pezulluar dhe po e heton shefin e krimeve, ndërkohë që s’ka dhënë asnjë informacion për çështjen, nëse janë proceduar, shpallur në kërkim autorët!/TopChannel