LAJME / E Enjte 10 Qershor 2021, 20:08

10 muaj në koma, shtatzëna pasi zgjohet nuk e di se ka lindur

Një grua italiane është zgjuar nga koma pas dhjetë muajve në këtë gjendje, raportojnë mediet.

Cristina Rosi, 37 vjeçe, ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, kur pësoi sulm në zemër në korrik të vitit të kaluar, shkruan BBC.

Vajza e saj, Caterina, u lind përmes prerjes emergjente cezariane. Megjithatë, zonja Rosi mbeti në koma dhe mjekët dyshonin se ajo ka pësuar lëndime në tru.

Ajo tashmë është zgjuar nga gjendja e rëndë dhe fjalën e parë e ka thënë “mamma” (nënë), tregoi bashkëshorti i saj.

“Nuk e prisnim këtë, ishte gëzim i vërtetë pas kaq shumë vuajtjeve”, tha Gabriele Succi për gazetën italiane, “La Nazione”.

Zonja Rosi ishte dërguar në një klinikë në Austri në muajin prill për të marrë kujdes specialistik gjatë rimëkëmbjes. Bashkëshorti dhe nëna e saj ishin pranë, kur u zgjua nga koma dhe filloi të fliste.

Trajtimi i saj në Austri është paguar përmes një faqeje që ka arritur të mbledhë mbi 170.000 euro në internet. Me këto mjete do të vazhdohet trajtimi i zonjës Rosi, përfshirë fizioterapinë.

Vajza e lindur me prerje cezariane është mbajtur për disa muaj në spital për shkak të mungesës së oksigjenit gjatë lindjes.