Receta anti-Covid-19 e Bregut Amalfi në Itali, aty ku nuk ka asnjë rast me koronavirus

63

Nuk ka pasur asnjë rast të vetëm pozitiv me Covid-19 në të gjithë Bregun e Amfli në Itali, qysh nga momenti kur shpërtheu epidemia.

Nga Cetara në Positano, i gjithë bregu duket “imun”, me përjashtim të gadishullit të Sorrento, ku janë shënuar rreth 50 raste.

Më shumë sesa imuniteti, në Bregun Amalfi po zbatohet parimi: mbikëqyrje në kufijtë e fiksimit, me rrugë të ndaluara si në kohë lufte dhe mbi 150 banorë të kthyer nga jashtë ose nga veriu i Italisë, të dërguar me forcë në stacionet hekurudhore ose aeroporte për tu kthyer mbrapsht, ose të mbyllur në shtëpi më vete nga ato të pjesëtarëve të familjes.

Kryetari i komunës së Cetara, Roberto della Monica, e përshkruan metodën në dukje brutale, por dobiprurëse.


“U bënë 20 ditë tashmë që kam blinduar çdo hyrje. Dyqanet janë të hapura vetëm në mëngjes dhe bashkë me kolegët e tjerë të bregut të Amalfi kontrollojmë autostradën 163 deri në perëndim të diellit. Nuk shihet në fytyrë askush! Banorët e kthyer janë shoqëruar me forcë në banesat e tyre si dhe janë detyruar të jetojnë të ndarë. I kontrollojmë dy ose tre herë në ditë dhe me ta po ndodh njëlloj si të ishin duke vuajtur arrest shtëpie”, tha della Monica, raporton ‘Corriere della Sera’.

Edhe strategjia e Andrea Reale, kryekomunar i Minori, është gjithashtu e ngjashme, me ndërhyrje të përqendruara, si kontrolli i rrugëve dhe higjienizimi i duarve para hyrjes në ambiente publike si dhe testimi në masë.

“Ne u vumë në lëvizje në kohë, madje shumë më përpara se qeveria të ndërhynte me masat e saj”, thotë ai, teksa shpjegon suksesin e mbrojtjes nga virusi.

Në orët e fundit në Itali gjetën vdekjen 766 persona, u shtuan 4585 raste të infektuarish, duke e çuar në 119827 numrin total të tyre. Ndërkohë në total numri i viktimave në shtetin fqinj ka shkuar në 14681