Çmimet e qirave në Tiranë u rritën ndjeshëm, dalin shifrat

305

Eurostat publikon çdo vit raportin mbi nivelin e çmimeve të qirave, për të bërë një krahasim objektiv të kostove të jetesës për individët që punojnë jashtë vendit. Për hartimin e këtij raporti janë pyetur agjencitë e pasurive të paluajtshme në vendet përkatëse. Në krahasim me një vit më parë, çmimet e qirave në Tiranë kanë shënuar rritje.

Sipas publikimit të Eurostat, një shtëpi me 3 dhoma kushtonte në 2018-n 730 euro, nga 670 që ishte një vit më parë. Ndonëse me një rritje më modeste, apartamentet me 2 dhoma kushtonin rreth 540 euro, nga 520 euro që ishin një vit më parë. Po ashtu edhe apartamentet me sipërfaqe më modeste, vetëm me një dhomë, me sipërfaqe 60-80 metra katrorë, u rritën në 370 euro, nga 350 një vit më parë.

Agjencitë kanë raportuar rritje të çmimit edhe për vilat, ku sipas Eurostat, çmimi mesatar i qirave në 2018-n ishte 1400 euro, nga 1350 euro.

Loading…

Në total, Eurostat përllogarit se çmimet e qirave në raport me një vit më parë u rritën 6%. Zonat të cilat janë marrë në shqyrtim për të sjellë këto çmime janë zona 2/1 apo ndryshe Rruga e Elbasanit, zona 2/2, zona 5/1 (ku përfshihet edhe Blloku), zona 5/2, zona 7/1, 7/2, 10/3, Selitë, Kodra e Diellit dhe Sauk, shkruan ‘monitor’.

Për vitin 2018, qiratë e shtëpive ishin më lirë se në kryeqytetin serb dhe në atë boshnjak. Për të njëjtën sipërfaqe, pra për një shtëpi 3+1, me sipërfaqe 110-130 metra katrorë, qiraja mesatare në Serbi ishte 1350 euro dhe në Bosnjë 820 euro.

Për shtëpitë 2+1, me sipërfaqe 80-100 metra katrorë, Shqipëria dhe Bosnja ka të njëjtin nivel, me një qira mesatare mujore prej 540 eurosh, ndërsa në Serbi 960 euro.

Tirana, ndër më të lirat

Për të bërë krahasimin me kryeqytetet e tjera të Bashkimit Europian, shteteve të tjera që nuk janë të anëtarësuara, qyteteve kryesore në kontinentin amerikan dhe aziatik, është marrë si referencë qyteti i Brukselit (niveli 100). Sipas grafikut të Eurostat, qiratë në Tiranë janë sa 51% e nivelit të qirave në Bruksel, së bashku me Sofjen, kryeqytetin e Bullgarisë. Ndër vendet e marra në shqyrtim janë Shkupi, ku qiratë e shtëpive janë sa 38% e Brukselit dhe Ankaraja, ku qiratë janë sa 30% e qirave në Bruksel.