LAJME / E Hënë 15 Prill 2019, 22:10

Fëmijët si krah pune/ 50 mijë të mitur shfrytëzohen në punë nga prindërit

Kushtet e vështira ekonomike i kanë detyruar shumë prindër shqiptarë që të fusin në punë të rënda fëmijët e tyre, për të nxjerrë sadopak të ardhura për familjen. Një 14-vjeçar nga Librazhdi, çdo ditë pasi mbaron mësimin punon në bujqësi.

Prindërit e shohin si ndihmë për të ardhurat e familjes. Por ky i mitur nga Librazhdi nuk është i vetmi rast ku të miturit angazhohen në punë. Statistikat e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve tregojnë për një numër të madh të fëmijëve që shfrytëzohen në punë të ndryshme, ku 7 % e tyre bëjnë edhe punë të rënda.

Vitet e fundit, në të gjitha bashkitë janë ngritur grupe pune për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi. Vinjola Syla, punonjëse e Njësisë 8 në Bashkinë e Tiranës thotë se identifikimi i të miturve që punojnë nuk është i lehtë.

Për të luftuar këtë fenomen, pak ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin për identifikimin e fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë dhe ata në situatë rruge. Sipas këtij pr/vendimi, të gjithë prindërit që do të angazhojnë fëmijët në punë, rrezikojnë burgun.

Vetëm gjatë vitit 2018, në 12 raste prindërit janë kallëzuar penalisht, pasi kanë qenë shkaku kryesor që fëmijët kanë dalë në rrugë apo janë shfrytëzuar ekonomikisht.

Në këto raste fëmijët strehohen pranë të afërmve, ose në qendrat sociale. Sipas Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve mosha minimale në Shqipëri për punë është 16 vjeç, ndërsa për punë të rënda 18 vjeç. Megjithatë sipas tyre ka ende vakume ligjore, të cilat duhet të përmirësohen.

VIDEO