Si të përgatisni shëndetlien, ëmbëlsirën më të mirë shqiptare!

336

Shëndetlia është padyshim një nga ëmbëlsirat shqiptare më të mira. Para shumë vitesh shëndetlia gatuhej veç në raste festash, por tani me këto pak përbërës që i gjejmë kudo mund ta gatuajmë në çdo moment.

Përbërësit për kekun

5 vezë + 1 të verdhë veze për lyerje sipër
500 gr miell
150 gr mjaltë
100 gr sheqer
200 gr gjalpë
200 gr arra
1 lugë kafeje sodë buke
Përbërësit për shërbetin:

1 gotë ujë
2 gota sheqer
2 lugë lëng limoni
Pak karafil
Pak vanilje
Përgatitja:

Në një tepsi hedhim miellin, e hapim rreth. Në mes të tij hedhim vezët, gjalpin e shkrirë më parë, mjaltin e sheqerin dhe i përziejmë mirë gjithë përbërësit. Shtojmë sodën e bukës.
Vazhdojmë t’i përziejmë mirë derisa të kemi arritur një masë homogjene. Më pas shtojmë dhe arrat dhe vazhdojmë t’i përziejmë derisa të jenë bashkuar mirë me brumin e përgatitur.
Brumin e përgatitur e hedhim në një tepsi të lyer më parë me gjalpë e pak miell (në mënyrë që të mos ngjitet). Për këtë masë duhet një tavë me diametër rreth 26-30 cm. Vendosim tavën të piqet në furrë të nxehtë 140°C përreth 40 minuta ose derisa të shohim që pjesa sipër të ketë marrë një ngjyrë kafe të bukur të errët. Më pas fikim furrën duke e lënë tavën brenda që të kullojë përreth gjysmë ore.
Pastaj e nxjerrim jashtë dhe e lemë të ftohet dhe më pas e presim në copa. Ndërkohë përgatisim shërbetin duke zier ujin me sheqerin dhe karafilin e vaniljen. Shërbetin e hedhim të nxehtë mbi ëmbëlsirën e ftohtë. E lemë të regjet mirë dhe të ftohet komplet e më pas shërbejmë shëndetlien në pjata.


Na ndiqni ne: