4 gratë e tregtarit. Një histori frymëzuese

93

Ishte një tregtar i pasur që kishte katër gra. Ai donte më së shumti gruan e 4, të cilën e vishte me rroba të shtrenjta dhe e trajtonte me delikatesë. Ai kujdesej shumë për të dhe i jepte asaj gjithmonë më të mirën.

Ai gjithashtu e donte shumë gruan e tretë. Ishte shumë krenar për të dhe gjithmonë donte të mburrej për të, tek miqtë e tij. Sidoqoftë, tregtari gjithmonë kishte frikë të madhe se ajo mund të ikte me burra të tjerë.

Ai gjithashtu e donte gruan e tij të dytë. Ajo ishte një person shumë i vëmendshëm, gjithnjë e durueshme dhe në fakt ishte ajo të cilës i besonte gjithçka. Sa herë që tregtari përballej me probleme, ai kthehej gjithmonë tek gruaja e dytë, dhe ajo gjithmonë e ndihmonte dhe e udhëhiqte nëpër kohë të vështira.

Tani, bashkëshortja e parë e tregtarit ishte një partnere shumë besnike dhe ajo kishte kontribut të madh në ruajtjen e pasurisë dhe biznesit, si dhe kujdesin ndaj familjes. Sidoqoftë, tregtari nuk e donte gruan e parë dhe megjithëse ajo e donte thellë, ai as nuk e vinte re.

Një ditë, tregtari u sëmur. Pa kaluar shumë kohë, ai e dinte se do të vdiste së shpejti. Mendoi për jetën e tij luksoze dhe i tha vetes: “Tani kam katër gra me mua. Por kur të vdes, do të jem vetëm. Sa i vetmuar do të jem”.

Kështu, ai thirri gruan e 4-të, “Ty të kam dashur më shumë, të kam dhënë gjithë veshjet e shtrenjta dhe jam kujdesur shumë për ty. Tani që po vdes, a do të më ndjekësh pas dhe të më mbash shoqëri?”.”Në asnjë mënyrë!”, u përgjigj gruaja e katërt dhe u largua pa thënë asnjë fjalë tjetër. Përgjigjja e prerë goditi si thikë e mprehtë drejt e në zemrën e tregtarit.

I trishtuar më pas kërkoi gruan e tretë: “Unë të kam dashur shumë gjatë gjithë jetës time. Tani që po vdes, a do të më ndjekësh dhe të më bësh shoqëri?”. “Jo!” u përgjigj gruaja e tretë. Jeta është aq e mirë këtu! Unë do të martohem përsëri kur të vdesësh!” Zemra e tregtarit u mbyt dhe ngriu.

Më pas kërkoi gruan e dytë: “Gjithmonë jam kthyer tek ti për ndihmë dhe më ke ndihmuar gjithmonë. Tani kam nevojë për ndihmën tënde përsëri. Kur të vdes, a do të më ndjekësh dhe do të më bësg shoqëri?”.”Më vjen keq, nuk mund të të ndihmoj këtë herë!”, u përgjigj gruaja e dytë. “Maksimumi, unë mund të të dërgoj në varr”. Përgjigjja erdhi si një rrufe dhe tregtari u ndje i shkatërruar.

Më pas, një zë thirri: “Do të vi unë me ty. Do të të ndjek, kudo që të shkosh”. Tregtari ngriti sytë, dhe aty ishte gruaja e parë. Ajo ishte kaq e hollë, pothuaj sikur vuante nga kequshqyerja. I hidhëruar, tregtari tha: “Duhej të isha kujdesur shumë më tepër për ty, kur mundesha!”

Çdo burrë apo grua ka katër bashkëshorte, ose bashkëshortë.

E KATERTA

‘Gruaja’ e katërt është trupi ynë. Ne e duam trupin tonë ditë e natë. Në mëngjes, lajmë fytyrën, veshim rroba dhe këpucë. Ii japim ushqim trupit tonë. Kujdesemi për trupin tonë si për gruan e katërt në këtë histori. Por fatkeqësisht, në fund të jetës, trupi, nuk mund të na ndjekë në botën tjetër. Siç thuhet në një koment, ‘Kur fryma e fundit lë trupin tonë, ngjyra e shëndetshme e fytyrës transformohet dhe humbim pamjen e një jete rrezatuese. Të dashurit tanë mund të mblidhen përreth dhe të vajtojnë, por më kot.

E TRETA

Bashkëshortja e tretë? Zotërimet tona, statusi, pasuria. Kur vdesim, të gjitha u shkojnë të tjerëve.

E DYTA

Bashkëshortja e dytë është familja dhe miqtë. Sado pranë nesh të kenë qenë kur kemi qenë gjallë, më e afërta që mund të rrijnë pranë kur ikim, është tek vendi i prehjes së fundit.

E PARA

Bashkëshortja e parë është në fakt shpirti ynë, që shpesh e neglizhojmë për shkak se jemi gjithmonë në kërkim të gjërave materiale, pasurisë dhe kënaqësive shqisore.