Pasuria, suksesi dhe dashuria. Historia e tre burrave të moshuar

1417

Një grua doli nga shtëpia dhe pa tre burra të moshuar me mjekrra të bardha e të gjata, ulur në oborrin e shtëpisë së saj. Nuk i njohu.

Ajo u tha: “Unë nuk ju njoh, por duhet të jeni të uritur. Ju lutem, ejani brenda të hani diçka”.

“A është edhe burri juaj në shtëpi?”, pyetën ata.

“Jo”, u përgjigj me siguri gruaja. “Ka dalë”.

“Atëherë ne nuk mund të hyjmë”, u përgjigjën ata.

Në mbrëmje, kur i shoqi erdhi në shtëpi, ajo i tregoi ngjarjen që i kishte ndodhur.

“Shko thuaju që jam në shtëpi dhe ftoji të hyjnë brenda!”

Gruaja doli dhe i ftoi.

“Ne nuk hyjmë në një shtëpi të gjithë sëbashku”, u përgjigjën ata.

“Pse?”, pyeti gruaja.

Njëri prej burrave të moshuar i shpjegoi: “Ai quhet ‘Pasuria’, tha duke treguar me gisht një prej shokëve, ai është ‘Suksesi” dhe unë jam ‘Dashuria’.

Më pas shtoi: “Tani shko dhe diskutoje me tët shoq, se cilin prej nesh do që të hyjë në shtëpinë tuaj”.

Gruaja u fut brenda dhe i tregoi të shoqit atë që i ishte thënë. I shoqi u mbush me gëzim.

“Sa mirë!”, tha ai. “Meqë është kështu, të ftojmë “Pasurinë”. Lëre të hyjë dhe të na e mbushë shtëpinë plot me pasuri!”

Gruaja nuk ishte dakord. “I dashur, përse nuk ftojmë “Suksesin”?”

Vajza e tyre po dëgjonte nga qoshja e shtëpisë. Ajo kërceu me sugjerimin e saj: “A nuk do të ishte më mirë të ftonim “Dashurinë”? Kështu shtëpia do të na mbushej me dashuri”.

“Dëgjojmë këshillën e vajzës”, i tha bashkëshorti gruas.

“Shko dhe fto “Dashurinë”, që të jetë mysafiri ynë”.

“Dashuria” u ngrit në këmbë dhe nisi të ecë drejt shtëpisë. Edhe dy të tjerët u ngritën dhe e ndoqën nga pas.

E habitur, gruaja pyeti “Pasurinë” dhe “Suksesin”: “Unë ftova “Dashurinë”, pse po vini dhe ju?”

Tre burrat iu përgjigjën: “Po të kishe ftuar “Pasurinë” apo “Suksesin”, dy të tjerët do të rrinim jashtë, por duke qenë se ftove “Dashurinë”, kudo ku ai shkon, ne shkojmë bashkë me të”